E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Trump emëron Musk, Huckabee dhe Noem në poste kyçe

UASHINGTON, 13 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje një sërë emërimesh në administratën e tij të ardhshme, përfshirë emërimin e miliarderit të teknologjisë dhe megadonatorit Elon Musk për të udhëhequr një Departament të ri të Efikasitetit të Qeverisë.

Musk, 53 vjeç, do t’i bashkohet atje ish-kandidati për president, Vivek Ramaswamy.

Departamenti i ri do të këshillojë Trump se si të reduktojë shpenzimet e qeverisë, por nuk do të jetë pjesë e vetë qeverisë federale.

Puna e tyre pritet të përfundojë deri në korrik 2026.

Trump emëroi gjithashtu prezantuesin e Fox News dhe veteranin e ushtrisë Pete Hegseth në krye të Departamentit të Mbrojtjes dhe tha se ish-guvernatori i Arkansas, Mike Huckabee do të ishte ambasadori i ri i SHBA në Izrael.

Trump, në një deklaratë, tha se planifikon të emërojë ish-kongresmenin republikan John Ratcliffe si drejtor të CIA-s.

Ratcliffe është aktualisht bashkëkryetar i një instituti konservator të afërt me Trump.

Kristi Noem, e cila ndoshta është më e njohur për pranimin se kishte qëlluar dhe vrarë qenin e saj 14 muajsh Cricket, sepse tha se nuk mund të trajnohej si qen gjuetie, do të jetë sekretarja e re për Sigurinë Kombëtare.

Trump, në një deklaratë në platformën e tij “Truth Social”, tha se Musk dhe Ramaswamy “do t’i hapin rrugën administratës sime për të çmontuar burokracinë qeveritare, për të ulur rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e kota dhe për të ristrukturuar agjencitë federale”.

Raportime të shumta nga mediat amerikane tregojnë se shumë punonjës federalë janë të frikësuar për punët e tyre, pasi shqetësohen se Trump do t’i pushojë dhe do t’i zëvendësojë me besnik të partisë.

Musk, themeluesi i Tesla dhe SpaceX dhe pronar i X, dhuroi rreth 120 milionë dollarë për fushatën e Trump.

Ai do të përballej me disa konflikte interesi, pasi shitjet e ”Teslës” varen nga subvencionet e qeverisë dhe kontratat e qeverisë janë një biznes shumë miliardë dollarësh për SpaceX.

Gjithashtu ”Tesla” është nën hetim nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada për shkak të aksidenteve që përfshijnë sistemin e saj të ndihmës autopilot për shoferin.

Musk gjithashtu ankohet vazhdimisht se ka shumë kërkesa rregullatore për ”Tesla” dhe SpaceX.

Sipërmarrësi me origjinë nga Afrika e Jugut drejton gjithashtu zhvilluesin e çipave të trurit Neuralink dhe kompaninë e ”Boring Company”.

Me luftërat të ndezura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, sekretari i ri i mbrojtjes i SHBA-së do të kalojë në postin e lartë në Pentagon nga pozicioni i tij aktual si prezantues i “Fox & Friends Weekend” në kanalin e djathtë të Fox News.

Trump tha se ai zgjodhi Hegseth për shkak të shërbimit të tij të gjatë në ushtri.

Ai e përshkroi shefin e ardhshëm të Pentagonit si “të ashpër, të zgjuar” dhe tha se ishte një përkrahës i vërtetë i MAGA.

Noem, guvernatore e Dakotës së Veriut, ka qenë një mbështetës i zjarrtë i Trump.

Trump tha se ajo do të ishte shumë e mirë për sigurinë kufitare, duke vënë në dukje se Noem ishte guvernatorja e parë që dërgoi trupat e Gardës Kombëtare të shtetit të saj në Teksas për të ndihmuar atë që Trump e quajti “kriza kufitare Biden”./ a.jor.

Notepad

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›