E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump kritikon shpenzimet e mbrojtjes të Spanjës përpara samitit të NATO-s

UASHINGTON, 24 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shprehu sot pakënaqësinë e tij për shpenzimet relativisht të ulëta ushtarake të Spanjës përpara mbërritjes së tij në samitin e NATO-s, në Hagë.

Trump u tha gazetarëve gjatë fluturimit nga Uashingtoni në Evropë se shpenzimet e mbrojtjes së Spanjës ishin “të padrejta” ndaj të tjerëve.

Trump gjithashtu, postoi në platformën e tij “Truth Social”, një grafik ku paraqiteshin shpenzimet e mbrojtjes nga aleatët e NATO-s  Spanja renditej në fund të grafikut.

Aleatët pritet të diskutojnë nesër rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes vjetore në të paktën 5% të produktit të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2035, pas presionit të vazhdueshëm të Uashingtonit.

Sipas planeve, të paktën 3,5% e PBB-së do të ndahet për shpenzimet tradicionale ushtarake dhe një shtesë prej 1,5% e PBB-së për shpenzimet përkatëse, duke përfshirë infrastrukturën.

Objektivi i ri i shpenzimeve përfaqëson një sfidë të madhe për shumë nga 32 shtetet e NATO-s – i cili ka hasur kundërshtime.

Spanja, një aleate e NATO-s, dhe një nga vendet me shpenzimet me të ulëta të mbrojtjes, i kundërshtoi publikisht planet vetëm disa ditë para samitit, duke thënë se nuk ishte zotuar për objektivin e ri pasi ishte jo vetëm i paarsyeshëm, por edhe kundërproduktiv. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›