E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump mohon ndërprerjen e bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit

UASHINGTON, 2 qershor /ATSH-DPA/ Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se negociatat mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit po vazhdojnë, duke kundërshtuar raportimet e mediave iraniane se kontaktet mes dy palëve janë ndërprerë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump i quajti “të rreme dhe të pasakta” njoftimet se Uashingtoni dhe Teherani kanë ndalur bisedimet.

Sipas tij, komunikimet kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë ditëve të fundit.

“Ku do të çojnë këto bisedime, askush nuk e di, por i kam thënë Iranit se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje”, shkroi ai.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se nuk kishte pasur kontakte mes Teheranit dhe Uashingtonit prej disa ditësh.

Edhe agjencia Tasnim kishte bërë një vlerësim të ngjashëm, duke lidhur ndërprerjen e negociatave indirekte me luftën e vazhdueshme të Izraelit kundër lëvizjes Hezbollah në Liban. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›