E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump paralajmëron Venezuelën: Bashkëpunim ose sulm të dytë

UASHINGTON, 6 janar /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se SHBA-ja mund të nisë një operacion tjetër ushtarak në Venezuelë nëse autoritetet atje ndalojnë së bashkëpunuari me Uashingtonin.

Ndërsa Nicolas Maduro kaloi natën e parë në qeli në një burg amerikan, presidenti Donald Trump paralajmëroi për një sulm të dytë ndaj Venezuelës, në rast se ajo nuk bashkëpunonte me Amerikën.

Gjatë një interviste për “NBC News”, Trump tha se nuk beson se kjo do të ndodhë dhe nga ana tjetër nuk hezitoi të vlerësonte ushtrinë amerikane për arrestimin e Nicolas Maduro.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vërtetuan sërish se kemi ushtrinë më të fuqishme, më vdekjeprurëse, më të sofistikuar dhe më të frikshme në planetin Tokë. Askush nuk mund të na mposhtë. Askush nuk mund të bëjë atë që bëmë ne. Askush tjetër nuk i ka armët tona”, tha Trump.

Ku është Maduro?

Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, kaluan natën e parë në paraburgim, në Qendrën Metropolitan të Paraburgimit në Bruklin.

Kur u paraqitën në gjykatë të hënën, ata nuk e pranuan fajësinë për akuzat kundër tyre.

Gjatë seancës dëgjimore, Maduro tha se e konsideronte veten një “rob lufte”.

Rasti Maduro dhe përplasjet e brendshme politike

Ndërkohë, sikur të mos mjaftonin akuzat zyrtare, një tjetër akuzë po përgatitet në Florida kundër tij.

Guvernatori Ron DeSantis tha sot në një konferencë se Florida po shqyrtonte mundësinë e ngritjes së një aktakuze kundër Maduros – bazuar në pretendimin se Maduro ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës në Florida.

Senatorët amerikanë do të mblidhen nesër në një dhomë të mbyllur për të marrë të gjithë informacionin lidhur me operacionin që çoi në arrestimin e Maduros.

Do të jenë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, të cilët do të ndajnë informacione të detajuara me senatorët.

Takimi do të mbahet në një vend të mbyllur pa praninë e kamerave ose telefonave. Demokratët në veçanti kanë këmbëngulur të njihen menjëherë me detajet e operacionit.

Çfarë po ndodh në Karakas?

Ndërkohë, situata në Karakas thuhet se është e tensionuar, veçanërisht si rezultat i konfuzionit midis forcave të ndryshme qeveritare.

Dje në mbrëmje, ndërtesat qeveritare u evakuuan pasi u dëgjuan të shtëna me armë pranë pallatit presidencial.

Ndërsa Delcy Rodriguez u betua si presidente në detyrë, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado njoftoi planet për kthimin e saj të menjëhershëm në atdheun e saj.

“3 janari do të mbahet mend në histori si dita kur drejtësia mundi tiranin. Është diçka e madhe jo vetëm për Venezuelën dhe të ardhmen e saj, por edhe për njerëzimin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor”, tha ajo.

Planet për Venezuelën

Gjatë një interviste për NBC, Trump tha se para zgjedhjeve të ardhshme në Venezuelë, amerikanët duhet të kujdeseshin për rikthimin e shëndetit të vendit.

Sipas Trump, një grup zyrtarësh amerikanë do të përfshihen drejtpërdrejt në mbikëqyrjen e punëve të Venezuelës.

Edhe pse nuk e bëri të qartë se si do ta administrojë SHBA-ja Venezuelën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka lënë të kuptohet se administrata do të fillojë me ekonominë dhe eksportet e naftës.

E megjithatë, kur u pyet se kush do të ishte përgjegjës, Trump u përgjigj: “Unë!”

Sipas “NBC News”, administrata Trump po vlerëson mbështetjen financiare që duhet t’u jepet kompanive të naftës për të rindërtuar infrastrukturën energjetike të vendit pas rënies së Nicolas Maduro. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›