E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump paralajmëron se raketat “Tomahawk” mund të përshkallëzojnë konfliktin Rusi-Ukraine

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua sot me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas dyerve të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë, pasi foli me gazetarët rreth një sërë temash në lidhje me luftën Ukrainë-Rusi, sipas CNN.

Trump tha se do të diskutonte me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për sistemin “Tomahawk”, ndërsa paralajmëroi se raketat me rreze të gjatë veprimi mund të shkaktonin përshkallëzim të konsiderueshëm – në një luftë që ai do të preferonte t’i jepte fund.

“Ne do të bisedojmë për raketat “Tomahawk”, dhe do të preferonim shumë më tepër që ata të mos kishin nevojë për “Tomahawk”. Do të preferonim shumë më tepër që lufta të mbaronte”, tha sot Trump në Shtëpinë e Bardhë gjatë takimit me udhëheqësin ukrainas.

“Ato janë armë shumë të fuqishme, por janë armë shumë të rrezikshme. Dhe kjo mund të nënkuptojë një përshkallëzim të madh dhe se shumë gjëra të këqija mund të ndodhin”, shtoi Trump ai.

Presidenti amerikan gjithashtu vuri në dukje në mënyrë të përsëritur se ishte e rëndësishme që SHBA-ja të kishte një furnizim të mjaftueshëm me raketat e veta.

“Ne kemi nevojë për raketat “Tomahawk”. Nuk duam të japim armë që na duhen për të mbrojtur vendin tonë”, tha ai.

Trump sugjeroi që lufta midis Rusisë dhe Ukrainës mund të përfundonte pa to.

“Shpresojmë se do të jemi në gjendje t’i japim fund luftës pa menduar për raketat “Tomahawk”, tha Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›