Richard Grenell reagon pas protestës në Tiranë për Thaçin

TIRANË 17 tetor /ATSH/ – Ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas protestës së mbajtur sot në Tiranë, ku mijëra qytetarë dhe ish-luftëtarë të UÇK-së kërkuan drejtësi për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Haga ka dalë jashtë kontrollit. Këtë e bëri Jack Smith”, komentoi Grenell në X.
Deklarata e tij vjen pas një vale protestash të ngjashme që janë mbajtur muajt e fundit në Prishtinë dhe në Hagë, ndërsa procesi ndaj Thaçit dhe ish-zyrtarëve të tjerë të UÇK-së ka hyrë në fazën e mbrojtjes.
Grenell, i cili edhe më parë ka mbajtur qëndrim kritik ndaj prokurorit amerikan Jack Smith, dikur drejtues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën dhe aktualisht prokuror special në SHBA për hetimet ndaj Donald Trump la të kuptohet se sipas tij, mënyra e funksionimit të gjykatës ndaj Thaçit është trashëgimi e metodës së Smith.
Protesta në Tiranë u zhvillua pa incidente dhe u shoqërua me thirrje për lirimin e ish-presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Ad.Ab./