SHBA – Trump ripohon dëshirën e tij për një Groenlandë amerikane, pas kundërshtimit të Danimarkës

UASHINGTON, 5 janar /ATSH-AFP/ – Donald Trump riafirmoi dje në mbrëmje dëshirën e tij për të parë Groenlandën të vihet nën kontrollin amerikan, pasi kryeministri danez i kërkoi Shteteve të Bashkuara të “ndërpresin kërcënimet” e tyre për të aneksuar territorin.
Ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë, e cila nxori në pah interesin e Donald Trump për burimet e saj të mëdha të naftës në vend, ka ringjallur frikën për Groenlandën, e cila lakmohet nga presidenti amerikan për burimet e saj të rëndësishme minerale dhe vendndodhjen strategjike.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën nga një këndvështrim i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për të,” përsëriti presidenti amerikan për gazetarët në bordin e “Air Force One”, dje në mbrëmje.
“Do të kujdesemi për Groenlandën pas rreth dy muajsh… le të flasim për Groenlandën pas 20 ditësh”, shtoi ai.
Më parë, Donald Trump e kishte nxitur kryeministren daneze Mette Frederiksen të thyente heshtjen e saj.
Kur u pyet në një intervistë telefonike nga “The Atlantic” në lidhje me implikimet e operacionit ushtarak në Venezuelë për Groenlandën, Trump tha se u takon partnerëve të tij t’i vlerësojnë ata, sipas revistës.
“Ata do të duhet të vendosin vetë. Vërtet nuk e di”, tha Trump, duke shtuar se “ne absolutisht kemi nevojë për Groenlandën. Ne kemi nevojë për mbrojtjen tonë”./ /Ad.Ab./ a.jor.