E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump shtyn tarifat ndaj BE-së, pas telefonatës me Von der Leyen

UASHINGTON, 26 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka pezulluar tarifat e planifikuara prej 50% ndaj Bashkimit Evropian deri më 9 korrik, sipas një postimi në rrjetin e tij Truth Social.

Trump mori vendimin pasi foli me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shkroi ai të dielën.

“Sot mora një telefonatë nga Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, e cila kërkonte një zgjatje të afatit të 1 qershorit për tarifën 50% në lidhje me tregtinë dhe Bashkimin Evropian”, shkroi Trump.

“Unë rashë dakord për zgjatjen – 9 korrik 2025 – Ishte privilegji im ta bëja këtë. Presidentja e Komisionit tha se bisedimet do të fillojnë shpejt. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi ai.

Më parë, von der Leyen shkroi në X se BE ishte gati të avanconte bisedimet me SHBA-në.

Von der Leyen tha se kishte pasur një telefonatë “të mirë” me Trump.

“BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë marrëdhënien tregtare më të rëndësishme dhe më të ngushtë në botë. Evropa është gati të përparojë bisedimet shpejt dhe me vendosmëri”, shkroi ajo në X.

“Për të arritur një marrëveshje të mirë, do të na duhej kohë deri më 9 korrik”, shtoi ajo.

Në prill, Trump prezantoi tarifa minimale prej 10% për të gjitha importet amerikane dhe kërcënoi me masa të mëtejshme për një gamë të gjerë vendesh dhe sektorësh.

Pas turbulencave të konsiderueshme në tregjet e aksioneve dhe ato financiare, ai vendosi papritur t’u jepte shumë vendeve dhe BE-së një pezullim 90-ditor nga disa tarifa.

Këto tarifa ndëshkuese ishin të lidhura me deficitin tregtar të vendeve përkatëse.

Ai kishte vendosur tarifa prej 20% për BE-në, përpara se t’i ulte ato në 10% për të lejuar negociatat.

Të premten, Trump kishte thënë se bisedimet tregtare me Brukselin “nuk po çojnë askund” dhe se për këtë arsye ai dëshironte një tarifë të drejtpërdrejtë prej 50% për të gjitha importet e BE-së duke filluar nga 1 qershori.

Presidenti amerikan i ka bërë tarifat një pikë qendrore të politikës së tij ekonomike që kur u kthye në detyrë në janar, duke kërkuar të detyrojë kompanitë e huaja të zhvendosin prodhimin në Shtetet e Bashkuara./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›