E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trupat e Gardës Kombëtare dislokohen në Los Anxheles, për herë të parë pas 60 viteve

LOS ANXHELES, 9 qershor /ATSH-DPA/ – Trupat e Gardës Kombëtare u dislokuan dje në mbrëmje në Los Anxheles, mes protestave të vazhdueshme kundër kontrolleve të emigrantëve, pavarësisht kundërshtimeve të guvernatorit.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i kërkoi zyrtarisht administratës Trump të anulojë urdhrin për vendosjen e trupave.

Newsom e bëri kërkesën nëpërmjet një letre, të cilën më pas e ndau në X, drejtuar sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

“Nuk kishim problem derisa u përfshi presidenti i SHBA-së Donald Trump. Kjo është një shkelje serioze e sovranitetit shtetëror – duke ndezur tensione ndërsa tërheq burimet nga vendi ku ato janë të nevojshme në të vërtetë”, shkroi Newsom.

“Anuloni urdhrin. Kthejeni kontrollin në Kaliforni”, theksoi ai.

Trump nënshkroi një memorandum të shtunën duke vendosur 2 000 ushtarë të Gardës Kombëtare “për të adresuar paligjshmërinë që është lejuar të përkeqësohet”, tha Shtëpia e Bardhë.

Një ekspert i cituar nga ”The New York Times” tha se kjo është hera e parë në 60 vjet që një president ka vendosur Gardën Kombëtare të një shteti pa pëlqimin e guvernatorit.

Rastit të fundit i ndodhi në vitin 1965, kur presidenti Lyndon B. Johnson përdori trupa për të mbrojtur demonstruesit kryesisht me ngjyrë gjatë lëvizjes për të drejtat civile në Alabama./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›