KIEV – Zelensky: Putin nuk dëshiron paqen, por disfatën totale të Ukrainës

KIEV, 9 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i interesuar për një armëpushim, por përkundrazi dëshiron disfatën totale të Ukrainës, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për transmetuesin amerikan ABC News.
”Vetëm presioni i fortë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund ta detyrojë Putinin të tërhiqet”, tha ai.
“Atëherë ata do ta ndalojnë luftën”, tha ai.
Gjatë intervistës Zelensky theksoi rëndësinë e mbështetjes së SHBA-së, ndërsa u përpoq gjithashtu me delikatesë të shpjegonte se komenti i mëparshëm i presidentit amerikan Donald Trump për ABC News se ai mendon se Putin dëshiron paqe nuk është i saktë.
“Me gjithë respektin e duhur për presidentin Trump, sigurisht mendoj se është vetëm mendimi i tij personal”, tha Zelensky.
“Mendoj fuqimisht se Putin nuk dëshiron ta përfundojë këtë luftë. Brenda mendjes së tij, është e pamundur ta përfundosh këtë luftë pa disfatën totale të Ukrainës”, theksoi ai.
“Më besoni, ne i kuptojmë rusët shumë më mirë mentalitetin e rusëve sesa amerikanët e kuptojnë mentalitetin e rusëve. Ne jemi fqinjë prej shekujsh”, tha Zelensky.
Por, udhëheqësi ukrainas u kujdes të mos e bezdiste Trumpin, duke vënë në dukje se marrëdhënia e tij me presidentin amerikan – pas një takimi katastrofik në Zyrën Ovale në fillim të këtij viti – ishte përmirësuar, veçanërisht që nga takimi i tyre kokë më kokë në Vatikan në prill, në prag të funeralit të papa Françeskut.
“Pesëmbëdhjetë minuta në Vatikan, kokë më kokë, kokë më kokë… bënë më shumë për të vendosur besimin sesa takimi me shumë njerëz të pranishëm në Zyrën Ovale”, tha ai, duke shtuar se “dëshiron të besojë se kemi marrëdhënie normale dhe të barabarta” me SHBA-në.
Në të njëjtën kohë, Zelensky theksoi rolin kyç që ka SHBA-ja.
“Jam i bindur se presidenti i Shteteve të Bashkuara ka të gjitha fuqitë dhe ndikimin e mjaftueshëm për të marrë gjëra përsipër”, tha ai./ a.jor.