TEL AVIV – Izraeli bllokon mbërritjen e anijes me ndihma drejt Gazës

TEL AVIV, 9 qershor /ATSH-DPA/ – Izraeli bllokoi sot një anije me vela, në bordin e së cilës gjendeshin edhe Greta Thunberg dhe aktivistë të tjerë, nga hyrja në Rripin e Gazës.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se anija ”Madleen” e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC) “po lundronte drejt brigjeve të Izraelit”.
“Pasagjerët pritet të kthehen në vendet e tyre të origjinës”, tha ministria në një postim në X.
Në një deklaratë, FFC tha se ”Madleen” ishte “kapur me forcë nga ushtria izraelite” në ujërat ndërkombëtare.
“Ekuipazhi i saj civil i paarmatosur u rrëmbye dhe ngarkesa e saj me ushqime dhe furnizime mjekësore u konfiskua”, tha FFC në një deklaratë.
Organizatorja e FFC-së, Huwaida Arraf tha se Izraeli nuk kishte autoritet ligjor për të ndaluar ata që ishin në bordin e anijes.
“Këta vullnetarë nuk i nënshtrohen juridiksionit izraelit dhe nuk mund të penalizohen për shpërndarjen e ndihmës ose kundërshtimin e një bllokade të paligjshme – ndalimi i tyre është arbitrar, i paligjshëm dhe duhet të përfundojë menjëherë”, tha Arraf.
“Ne nuk dekurajohemi. Do të lundrojmë përsëri. Nuk do të ndalemi derisa të mbarojë rrethimi dhe Palestina të jetë e lirë”, tha FFC.
“Ky sekuestrim shkel hapur ligjin ndërkombëtar dhe sfidon urdhrat detyrues të GJND-së që kërkojnë akses të papenguar humanitar në Gaza”, shtoi FCC.
Aktivistët argumentojnë se Izraeli duhet të garantojë akses të papenguar humanitar në brezin bregdetar.
Megjithatë, Ministria e Jashtme izraelite deklaroi se zona pranë Rripit të Gazës është e mbyllur për anije të paautorizuara nën bllokadën detare në fuqi që nga viti 2007.
Kjo është arsyeja pse ”Madleen” u ndalua.
Përpara mbërritjes së anijes, Izraeli kishte urdhëruar forcat e armatosura të parandalonin mbërritjen e ”Madleen”-it, e cila u nis nga Siçilia një javë më parë./ a.jor.