E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohet stafi i Urgjencës Pediatrike në Elbasan

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Spitalet publike dhe ato rajonale në vend po përforcohen me ekipe mjekësh dhe infermierësh të rinj, duke sjellë energjinë që i bashkohet profesionalizmit të stafeve ekzistuese.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e një tjetër mjekeje të re që i është shtuar shërbimit shëndetësor parësor në Elbasan.

Prej disa muajsh dr. Anxhela Kurti është pjesë e stafit mjekësor në Shërbimin e Urgjencës Pediatrike në Elbasan, ku kontribuon në ofrimin e kujdesit shëndetësor me përkushtim dhe profesionalizëm për pacientët e vegjël të qytetit.

Mjekja pediatre Kurti u shpreh se në spitalin e Elbasanit paraqiten raste si nga qyteti por edhe nga rrethinat dhe fshatrat përreth.

“Totali i vizitave shkon deri në 100-120 raste në 24 orë, sidomos gjatë periudhës së dimrit. Sigurisht që me ardhjen e pranverës numri i rasteve ka filluar të bjerë ndjeshëm. Kryesisht predominojnë virozat me natyrë respiratore te fëmijët, bronkiolitet dhe bronkopneumonitë, por gjithashtu edhe gastroenterite dhe infeksione të tjera të cilat marrin shërbim në spitalin e Elbasanit”, u shpreh Kurti.

Në të gjithë vendin, po vazhdon përfshirja e ekipeve të reja me mjekë dhe infermierë, duke përforcuar shërbimet shëndetësore në spitalet rajonale dhe bashkiake.

Përgjatë viteve të fundit MShMS ka zbatuar një mekanizëm transparent dhe meritokratik të portalit “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” për punësimin e mjekëve dhe infermierëve.

Punësimi i mjekëve dhe infermierëve të rinj plotëson nevojat në specialitete të ndryshme në spitalet rajonale dhe bashkiake.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›