SHBA fut “AI” në rrjetet ushtarake, Pentagoni arrin marrëveshje me gjigantët e teknologjisë

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka firmosur një marrëveshje të re me shtatë kompani të mëdha të teknologjisë për integrimin e inteligjencës artificiale në rrjetet ushtarake të klasifikuara.
Në këtë bashkëpunim përfshihen gjigantë si SpaceX, OpenAI, Google, NVIDIA, Microsoft dhe Amazon Web Services, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e sistemeve të avancuara dhe të sigurta. Sipas Pentagonit, këto teknologji do të ndihmojnë në analizën më të shpejtë të të dhënave dhe në përmirësimin e vendimmarrjes në situata komplekse në terren.
Aktualisht, mbi 1.3 milion persona brenda Departamentit të Mbrojtjes përdorin platformën e brendshme “GenAI.mil”, që synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e kryerjes së detyrave. Zyrtarët theksojnë se marrëveshja synon edhe shmangien e varësisë nga një furnizues i vetëm, duke krijuar një sistem më fleksibël dhe të qëndrueshëm.
Megjithatë, ky zhvillim vjen mes kritikave në rritje nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës amerikanë. Shqetësimet lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në operacione ushtarake dhe në sisteme autonome armësh. Në këtë marrëveshje mungon kompania Anthropic, pas mosmarrëveshjeve me Pentagonin për aksesin në teknologjinë e saj.
Ndërkohë, kompani si OpenAI dhe Google kanë pranuar kushtet për përdorim vetëm të ligjshëm të sistemeve të tyre. Autoritetet amerikane e konsiderojnë inteligjencën artificiale si një element kyç të strategjisë moderne ushtarake. Por debati mbi rreziqet dhe aspektet etike të përdorimit të saj në luftë pritet të vijojë
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/