Trump i pakënaqur me propozimin e fundit të Iranit, hedh dyshime mbi aftësinë e udhëheqjes iraniane për të arritur një marrëveshje

Presidenti Donald Trump ka shfaqur hapur pakënaqësinë e tij lidhur me propozimin më të fundit negociues të Iranit për përfundimin e luftës. Gjatë një komunikimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump konfirmoi se, ndonëse Teherani po kërkon një rrugëdalje, kushtet aktuale mbeten të papranueshme për SHBA-në.
Edhe pse pranoi se Irani ka bërë hapa përpara, Presidenti hodhi dyshime nëse zyrtarët iranianë do të jenë ndonjëherë të aftë për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por unë nuk jam i kënaqur me të,” deklaroi Trump, duke refuzuar të jepte detaje teknike mbi pikat e dokumentit që ai i konsideron problematike.
Sipas tij, pengesa kryesore nuk është vetëm përmbajtja e marrëveshjes, por përçarja e brendshme në Teheran. Trump e përshkroi udhëheqjen iraniane si “shumë të paqëndrueshme” dhe të ndarë në disa grupe rivale, çka sipas tij po e bën procesin “të çrregullt”.
Dilema ushtarake
Në një deklaratë që ka rritur tensionet në arenën ndërkombëtare, Trump e thjeshtoi situatën në dy opsione ekstreme: një përshkallëzim total ushtarak ose një zgjidhje diplomatike.
Trump konfirmoi se është informuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) mbi të gjitha opsionet ushtarake.
“A duam t’i shpërthejmë me tërbim dhe t’i zhdukim përgjithmonë? Këto janë mundësitë,” tha ai.
Megjithatë, Presidenti shtoi se preferon të mos rifillojë fushatën masive të bombardimeve. “Nga një këndvështrim njerëzor, do të preferoja që jo,” theksoi ai.
Kjo retorikë e ashpër vjen në një moment kur aleatët evropianë, veçanërisht Gjermania, kanë kritikuar mungesën e një strategjie të qartë amerikane në këtë konflikt. Deklaratat e fundit të Trump sinjalizojnë se dritarja e diplomacisë po ngushtohet, ndërsa kërcënimi për një “forcë shkatërruese” mbetet mjeti kryesor i presionit mbi Teheranin.
/rtsh.al/