SHBA ndalon hyrjen për 12 shtete, Trump: Nuk do të lejojmë askënd që nuk është verifikuar në mënyrë të sigurt

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një vendim që ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara për qytetarët nga 12 shtete, përfshirë nga Afganistani dhe Irani.
Bëhet fjalë për vende kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Pjesa më e madhe e shteteve do të ketë një ndalim të plotë, ndërsa të tjerët, kufizim të pjesshëm.
Presidenti amerikan tha se ndalesa e udhëtimit është e nevojshme për çështje sigurie
“Sulmi i fundit terrorist në Kolorado ka vënë në pah rreziqet ekstreme që i kanosen vendit tonë nga hyrja e shtetasve të huaj që nuk kanë kaluar nëpër kontrolle siç duhet, si dhe nga ata që vijnë këtu si vizitorë të përkohshëm dhe qëndrojnë më gjatë sesa lejohet me vizat që posedojnë. Ne nuk i duam ata”, tha Trump.
Trump e krahasoi ndalesën e re me kufizimet e ashpra që ai vendosi ndaj një numri shtetesh, kryesisht myslimane më 2017, pak pasi nisi mandatin e parë presidencial. Ai tha se ai vendim ishte një nga politikat më të suksesshme të mandatit të tij të parë.
“Nuk do të lejojmë që ajo që ndodhi në Evropë të ndodhë në Amerikë. Ne nuk mund të kemi një migrim të hapur nga asnjë vend prej nga nuk mund të bëjmë një verifikim të sigurt dhe të besueshëm”, tha Trump.
Ndalesa e udhëtimit do të hyjë në fuqi më 9 qershor ndërsa udhëtarët e prekur nga vendimi përfshijnë studentë, staf akademik, biznesmen, turist dhe të tjerë./vizionplus.tv