SIDNEJ – Australia do të njohë shtetësinë palestineze në shtator

SIDNEJ, 11 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri australian, Anthony Albanese tha sot se Australia do ta njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, me disa kushte.
“Sot mund të konfirmoj se në seancën e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, Australia do ta njohë Shtetin e Palestinës”, tha Albanese në një konferencë për shtyp në Kanberra, i shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Penny Wong.
Albanese tha se vendi i tij do të njihte të drejtën e popullit palestinez për një shtet të vetin, bazuar në angazhimet që Australia mori nga Autoriteti Palestinez (AP) me qendër në Bregun Perëndimor, i kryesuar nga Mahmoud Abbas.
Kryeministri australian tha se AP ra dakord se nuk mund të ketë “asnjë rol … në asnjë shtet të ardhshëm palestinez” për organizatën militante palestineze Hamas, e cila shkaktoi luftën në Gaza me sulmet e saj ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Ai tha se AP gjithashtu rikonfirmoi të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri, si dhe u zotua për demilitarizim, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe premtoi reforma, ndër të tjera.
Albanese tha se vendimi i Kanberrës për të ndryshuar politikën e saj vjen – si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar globale që ndërton vrull drejt një zgjidhjeje me dy shtete.
Njoftimi vjen pas ndryshimeve të ngjashme nga Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja në javët e fundit dhe pasi Kabineti Izraelit i Sigurisë vendosi të premten që ushtria duhet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke shkaktuar protesta ndërkombëtare.
“Një zgjidhje me dy shtete është shpresa më e mirë e njerëzimit për të thyer ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gazë”, tha kryeministri australian. //a.i/.