E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz: Kemi mospërputhje për veprimet ushtarake, por mbetemi në anën e Izraelit

BERLIN, 11 gusht /ATSH/- Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se qëndrimi i Gjermanisë ndaj konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë mbetet i pandryshuar pavarësisht urdhrit të qeverisë së tij për të pezulluar armët për Izraelin, të cilat mund të përdoren në Gazë.

“Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë vend të mbrohet”, tha Merz për ARD, duke shtuar se pavarësisht këtij qëndrimi, qeveria gjermane nuk mund të furnizonte më armë – në një konflikt ku mund të vriten qindra deri në mijëra civilë.

Vendimi për të ndaluar pjesërisht eksportet e armëve gjermane në Izrael vjen pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit njoftoi se Izraeli do të merrte kontrollin e Qytetit të Gazës.

Ky plan është dënuar nga shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dhe vende të shumta si Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja, të cilat besojnë se kjo do të përkeqësonte krizën humanitare të vazhdueshme në Gazë.

“Solidariteti me Izraelin nuk do të thotë që ne e konsiderojmë çdo vendim të qeverisë izraelite si të mirë, ose që e mbështesim atë, madje deri në masën e ofrimit të mbështetjes ushtarake në formën e armëve”, tha Merz, duke theksuar gjithashtu përgjegjësinë e tij për politikën e re.

Vendimi i Merz për të ndaluar eksportin e armëve që mund të përdoren në luftën e Izraelit në Gazë është pritur me kritika brenda partisë konservatore të kancelarit (CDU) dhe partisë së saj simotër bavareze (CSU). //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›