E Diel, 1 Nëntor 2026

SOFJE – Iliana Iotova presidentja e parë grua e Bullgarisë

SOFJE, 23 janar /ATSH-BTA/ – Zëvendëspresidentja Iliana Iotova është bërë presidentja e re e Bullgarisë, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se mandati i kreut të shtetit, Rumen Radev ka përfunduar para kohe pas dorëheqjes së tij.
Iotova është gruaja e parë në historinë e Bullgarisë që merr detyrën e Presidentit.

Sipas Kushtetutës, kur kompetencat e kreut të shtetit përfundojnë, zëvendëspresidenti merr presidencën për pjesën e mbetur të mandatit.

Më 19 janar, në një fjalim drejtuar popullit bullgar, Rumen Radev njoftoi se do të paraqiste dorëheqjen e tij.

Një ditë më vonë, ai ia paraqiti dorëheqjen Gjykatës Kushtetuese. Radev është i vetmi president bullgar deri më tani që ka lënë detyrën para skadimit të mandatit të tij.
Iliana Iotova u lind më 24 tetor 1964, sipas informacionit të publikuar në faqen e internetit të Presidencës.

Ajo u diplomua në Shkollën e Gjuhës Franceze “Alphonse de Lamartine” Nr. 9 dhe ka një diplomë në Filologji Bullgare nga Universiteti “St Kliment Ohridski” i Sofjes.

Ajo u specializua në Shkollën Kombëtare të Administratës të Francës (ENA – École nationale d’administration) dhe në Qendrën për Studime Evropiane në Strasburg (Centre des Études Européennes de Strasbourg).

Midis viteve 1990 dhe 1997, ajo punoi në Televizionin Kombëtar Bullgar si reportere, redaktore, prezantuese programesh dhe Drejtore e Drejtorisë së Lajmeve dhe Çështjeve Aktuale.

Nga viti 1997 deri në vitin 2007, Iotova drejtoi qendrën e shtypit të Këshillit Kombëtar të Partisë Socialiste Bullgare (BSP). Nga qershori 2007, Iotova shërbeu si anëtare e Parlamentit Evropian nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.
Iotova flet rrjedhshëm frëngjisht dhe ka njohuri praktike të rusishtes dhe anglishtes.

Ajo është e martuar dhe ka një djalë./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›