SOFT NEWS – Media greke i bën jehonë gjestit sublim të shqiptarit që shpëtoi dy fëmijë nga mbytja

ARTA (Greqi), 12 qershor /ATSH/ – Ledian Goga, një emigrant shqiptar në Greqi që pa menduar dy herë u zhyt në lumin Arachthos për të shpëtuar dy të mitur, nuk është dikush që kërkon publicitet, shkruan gazeta e njohur greke, protothema.gr.
”Ai nuk kërkoi asgjë, nuk priste një punë apo shpërblim të mirë, teksa gazetarët tanë e kontaktuan në telefon, ndërsa po priste radhën e tij në urgjencën e spitalit në Arta.
Ai ishte i plagosur. Këmba e tij ishte e thyer gjatë përpjekjes ekstreme për të nxjerrë fëmijët nga fundi i lumit, në ujëra të thella dhe të turbullta, plot me degë, baltë dhe frikë.
Megjithatë, në telefon ai nuk foli për veten, as për traumën.
Ai foli vetëm për ta.
“Fëmijët. Vetëm për ata mendoj”, ishte fjalia e tij e parë.
Leo, siç e thërrasin të gjithë në Neokor të Artës, nuk është shpëtimtar, ai nuk mban uniformë.
Ai është një emigrant nga Berati.
Ai mbërriti në Greqi 24 vjet më parë, kur ishte vetëm 17 vjeç. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe kishte dëgjuar se “Greqia ishte e bukur”.
Pa e ditur se çfarë e priste, ai kaloi kufirin dhe e gjeti veten në Athinë.
Atje bëri lloj-lloj pune, pa stabilitet, pa siguri, pa u ankuar kurrë.
Ai luftoi… luftoi me këmbënguljen dhe durimin që karakterizojnë njerëzit e heshtur, duke krijuar një jetë nga e para.
Prej pesë vjësh ai jeton në Arta me gruan dhe dy fëmijët e tij, 10 dhe gjashtë vjeç.
Gruaja e tij u rrit në Greqi dhe jeta e tyre rrjedh e qetë.
“Pa menduar dy herë, mora frymë thellë dhe u zhyta. Isha në bar. Një djalë me motoçikletë erdhi dhe bërtiti ‘ndihmë, dy fëmijë po mbyten në lumë!’. Pa u menduar dy herë, vrapova. Hipa në makinë dhe shkova në vend. Eca nëpër kallamishte, shikova – nuk pashë asgjë. Hipa në një varkë me të tjerë. U zhyta një herë – asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë, u zhyta më thellë, rreth tetë metra. Atje e pashë. Djali ishte shtrirë, i palëvizshëm, me fytyrë të nxirë, krahë dhe këmbë të hapura. Ishte sikur të kishte vdekur. E kapa, e nxora me forcë. Dhe pastaj dëgjova se e kishin parë edhe të dytin. U zhyta përsëri, dy dhe tre herë. E gjeta. Ishte shtrirë në fund. Kur e ngrita, i rridhte gjak nga hunda dhe goja. Kisha frikë për fatij e tij”, thotë ai me zë të mbytur.
Ai nuk i njihte fëmijët.
Nuk kishte detyrim të ndërhynte. Askush nuk e kishte emëruar si shpëtimtar.
E megjithatë, ai u hodh në ujë sikur të ishin fëmijët e tij.
”Njëri ishte në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, çfarë race, çfarë feje. Jam i huaj, por jam qenie njerëzore. Bëra atë që do të bënte çdo baba. Unë mendoj vetëm për fëmijët”, thotë ai i emocionuar.
Vështrimi i tij nuk kërkon konfirmim.
Ai nuk kërkon vëmendje apo intervista.
“Shpresoj që të jetojnë. Të rehabilitohen. Të jetojnë jetën e tyre plot gëzim”, shton ai.
Me guximin e tij, ai na kujtoi se çfarë do të thotë të jesh vërtet njeri”, përfundon protothema.gr./ /os/