E Diel, 1 Nëntor 2026

S&P rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë në “BB” dhe perspektivë “të qëndrueshme”

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s Global Ratings”, në raportin e saj analitik të publikuar më 23 mars 2026, ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB”, duke ruajtur gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme”. Ky vlerësim pasqyron besimin e vazhdueshëm të agjencisë në stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë.

S&P vlerëson se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit, duke përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë COVID-19 dhe krizën e çmimeve të energjisë.

Në aspektin e rritjes ekonomike, S&P parashikon një rritje të PBB-së reale prej 3,7% për vitin 2025 dhe mbi 3% për periudhën 2027-2029. Turizmi do të vazhdojë të mbetet një shtyllë kyçe e rritjes ekonomike. Flukset e shërbimeve të nxitura nga turizmi kanë forcuar strukturalisht pozicionin e jashtëm të Shqipërisë, duke ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente në shifra të ulëta njëshifrore.

Në aspektin e financave publike, S&P parashikon një deficit buxhetor prej rreth 2,4% të PBB-së në vitin 2026, paksa mbi objektivin 2,3% të autoriteteve për shkak të supozimeve paksa më të ulta të rritjes ekonomike për 2026.

Gjatë periudhës afatmesme, agjencia parashikon që deficitet të jenë mesatarisht rreth 2% të PBB-së deri në vitin 2029 dhe borxhin publik të stabilizohet pranë 50% të PBB-së nën kuadrin fiskal të ankoruar nga Ligji Organik i Buxhetit. Kjo qasje e matur fiskale do të sigurojë stabilitetin e vazhdueshëm të financave publike.

Një zhvillim pozitiv i theksuar nga S&P është progresi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku Shqipëria ka hapur tashmë të gjitha kapitujt negociues të acquis-it të BE-së, duke shënuar një gur kilometrik të rëndësishëm në bisedimet e anëtarësimit.

Rezervat valutore të Shqipërisë janë forcuar ndjeshëm, duke u rritur në 8,7 miliardë dollarë në Janar 2026, me një rritje prej rreth 33% krahasuar me vitin e kaluar, të mbështetura nga flukset e forta nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte.

Sektori bankar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë e këqija kanë vazhduar të ulen në 3,85%, duke reflektuar standarde të forta të miratimit dhe rritje të fortë të kredisë.

Konfirmim i vlerësimit nga S&P është një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, gjë që reflekton qëndrueshmërinë e fortë ekonomike të vendit dhe menaxhimin më efektiv të politikave.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›