Transporti urban në Shkodër, rikthehet linja Fermentim-Bahçallëk

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Transporti urban në Shkodër është futur në një fazë transformimi për të qenë më funksional dhe efikas për qytetarët.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se është rikthyer për qytetarët, shërbimi urban i linjës Fermentim-Bahçallëk, i munguar prej kohësh.
“Çdo 20 minuta, në çdo stacion, do të ofrohet shërbim urban në linjën Fermentim – Bahçallëk dhe anasjelltas. Nisim me këtë linjë, duke rritur cilësinë e shërbimit për banorët e Shkodrës, për të vijuar më pas me zgjerimin e rrjetit dhe shtimin e linjave të tjera në funksion të komunitetit”, tha Beci.
Sipas Becit, autobusët do të ofrojnë shërbim në të gjitha stacionet përgjatë kësaj linje, duke garantuar lëvizje të shpejtë dhe të rehatshme për banorët.
Beci tha se kjo iniciativë synon përmirësimin e cilësisë së transportit publik dhe krijimin e një sistemi më funksional dhe efikas për qytetarët e Shkodrës.
/e.i/a.f/r.e/