E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë së dy anëtarëve të një organizate kriminale

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi sot konfiskimin e pasurive të sekuestruara të dy anëtarëve të një organizate kriminale, J.M dhe M.D.

Sipas SPAK të dy shtetasit janë subjekte të hetimit pasuror po gjykohen për tri vepra penale.

SPAK bëri të ditur se në kuadër të hetimeve janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.

Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi janë: Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë; Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri; Vila në Gjirin e Lalëzit dhe në komplekse turistike rezidenciale; Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk; Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë; Automjete të markave BMW dhe “Audi”; Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.; Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.

Sipas SPAK, “totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për shtetasit J.M. dhe M.D. si dhe personat e lidhur me ta është: 1.976.870 euro dhe 9.330.062 lekë”.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›