Mbështetja për mbrojtjen biologjike rritet në 70%

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Mbështetja për mbrojtjen biologjike në serra pritet të rritet nga 50%, në 70% të vlerës së faturave tatimore, si pjesë e skemës së re kombëtare për fermerët.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Ushqimin, deklaroi se kjo masë vjen pas kërkesave të fermerëve dhe synon rritjen e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve bujqësore.
Sipas tij, aktualisht sipërfaqja e serrave me mbrojtje biologjike zë rreth 10% të sipërfaqes totale të mbjelljeve, ndërsa me rritjen e mbështetjes synohet që kjo përqindje të arrijë në 30-40%, duke garantuar kontroll më të madh që nga mbjellja deri në daljen e produktit në treg.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga serrat në të gjithë vendin janë eksportuar mbi 330 mijë tonë produkte bujqësore.
Ministri theksoi gjithashtu se mbështetja do të lidhet më ngushtë me formalizimin dhe faturimin, përmes mekanizmit të rimbursimit 10% të autofaturave, me qëllim rritjen e transparencës dhe forcimin e zinxhirit të kontrollit.
/r.e/