E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK merr të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Akuzat ndaj tij lidhen me shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Hetimi është hapur pas një denoncimi të bërë nga avokati korçar, Esmerald Xhafa, i cili ka ngritur akuza për korrupsion në disa tendera publikë. Mësohet se Kryebashkiakut i janë komunikuar akuzat këtë të martë.

Së bashku me kryebashkiakun e Kolonjës janë marrë të pandehur edhe gjashtë persona të tjerë, anëtarë të njësive të prokurimit publik dhe përfaqësues të kompanive që kanë fituar tenderët përkatës.

Çështjet në hetim lidhen me tenderin për ndërtimin e ujësjellësit, si dhe me segmentin e rrugës Korçë-Ersekë, ku një pjesë e saj është shembur pas ndërtimit.

Erion Isai e mori detyrën si kryebashkiak i Kolonjës në 29 korrik 2019.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›