SPANJË – Skandalet e korrupsionit vënë në pikëpyetje të ardhmen politike të Sanchez

MADRID, 30 maj /ATSH/- Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez po përballet me një presion politik në rritje, ndërsa një seri hetimesh për korrupsion që përfshijnë bashkëpunëtorë të afërt dhe familjarë të tij, po tronditin qeverinë dhe Partinë Socialiste, raportoi BBC.
Mes çështjeve më të ndjeshme janë, gjyqi ndaj vëllait të kryeministrit, David Sanchez, i akuzuar për favorizim në emërim, si dhe hetimi ndaj bashkëshortes së tij, Begona Gomez, për shpërdorim fondesh dhe shfryetëzim i pozicionit për përfitime personale.
Po ashtu, ish-kryeministri socialist Jose Luis Rodriguez Zapatero, është përfshirë në një hetim, lidhur me dyshime për pastrim parash dhe përfitime të paligjshme nga një paketë shtetërore ndihme, për një kompani ajrore.
Këtë javë, policia zhvilloi kontrolle në selinë e Partisë Socialiste në Madrid, në kuadër të një hetimi për një fushatë të dyshuar diskreditimi ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve që po shqyrtojnë çështjet e korrupsionit.
Megjithëse Sanchez nuk është akuzuar drejtpërdrejt në asnjë prej hetimeve, opozita e qendrës së djathtë ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Lideri i Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, i ka cilësuar skandalet si një “karusel kriminal”.
Pavarësisht krizës, Sanchez ka deklaruar se synon të përfundojë mandatin e plotë qeverisës.
Analistët vlerësojnë se mbijetesa e tij politike do të varet nga ecuria e hetimeve dhe nga gatishmëria e aleatëve parlamentarë për të vazhduar mbështetjen ndaj qeverisë. //a.i/