E Hënë, 2 Nëntor 2026

STAMBOLL – Araghchi: Ndërhyrja amerikane në konflikt perspektivë shumë e rrezikshme

STAMBOLL, 21 qershor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ka paralajmëruar se ndërhyrja e SHBA-së në konfliktin me Izraelin do të ishte “shumë e rrezikshme” për të gjitha palët e përfshira.

”Do të ishte shumë keq dhe shumë e rrezikshme për të gjithë, nëse forcat amerikane do të bashkoheshin me agresionin kundër Iranit”, u tha sot Araghchi gazetarëve në kuadër të një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) në Stamboll.

”Fatkeqësisht Teherani ka arritur në përfundimin se SHBA-ja ishte e përfshirë në sulmet në shkallë të gjerë izraelite të nisura javën e kaluar që nga fillimi”, tha diplomati më i lartë i Iranit.

Ndërsa Araghchi vuri në dukje se qeveria amerikane i hodhi poshtë akuzat, ai pretendoi se Irani kishte shumë indikacione se Uashingtoni ishte i përfshirë që nga dita e parë.

Ushtria amerikane e ka mbështetur Izraelin në përpjekjet e tij për të sprapsur sulmet hakmarrëse iraniane, por Uashingtoni deri më tani nuk është bashkuar me sulmet ndaj Iranit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se do të vendosë brenda dy javëve të ardhshme nëse do të ndërhyjë, në mënyrë që të lejojë bisedimet.

Araghchi përsëriti në Stamboll se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit janë në tryezë vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet e tij.

Ai ishte në metropolin turk për të marrë pjesë në një seancë të këshillit të ministrave të Jashtëm të OBI-t, një shoqatë prej 57 shtetesh me shumicë kryesisht myslimane.

”Me sugjerimin e Iranit, takimi ishte caktuar të përqendrohej në veçanti në sulmet izraelite”, tha Araghchi sipas portalit të lajmeve Iran Nuances, i cili është afër qeverisë iraniane.

Sipas agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA), qindra pjesëmarrës pritet të marrin pjesë në samitin dyditor.

Midis tyre janë 43 ministra dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Lidhja Arabe.

Takimi vjen një ditë pasi Araghchi zhvilloi negociata në Gjenevë mbi zgjidhjet diplomatike të konfliktit me homologët e tij gjerman, francez dhe britanik./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›