E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sala: Femicidi, ekipe multidisiplinare në çdo bashki për përgjigje të koordinuar

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë, të organizuar nga qeveria italiane dhe OSBE, dedikuar një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në kohën tonë: femicidit, vrasjes me motiv gjinor të grave dhe vajzave.

Në sesionin ministror, krah homologëve të Italisë, Greqisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Qipros etj, ministrja Sala foli mbi fenomenin e femicidit  në Shqipëri, hapat e ndërmarrë  ndër vite dhe sfidat që kërkojnë veprim të menjëhershëm.

“Femicidi nuk është vetëm çështje drejtësie penale. Ai është një emergjencë shëndetësore publike, një çështje drejtësie sociale dhe një shkelje e të drejtave të njeriut e rrënjosur në pabarazi strukturore gjinore. Për këtë arsye, kemi investuar në kapacitetet e profesionistëve të vijës së parë,  mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve socialë,  që të njohin shenjat e hershme paralajmëruese dhe të veprojnë menjëherë”, u shpreh ministrja.

Ministrja Sala vuri në dukje rëndësinë e të dhënave të sakta dhe ndërtimin e mekanizmave të fortë institucionalë për parandalimin e femicidit.

Ajo prezantoi rolin e Observatorit të Femicidit, i ngritur në mars 2024 nga Avokati i Popullit me mbështetjen e UN Women Albania —mekanizmi i parë i këtij lloji në Ballkan dhe ndër të paktët në Evropë.

“Kemi ngritur ekipet multidisiplinare në çdo bashki për të siguruar një përgjigje të koordinuar dhe kemi zgjeruar strehëzat dhe shërbimet e mbështetjes psikologjike, përfshirë fëmijët që mbijetojnë nga këto krime. Po punojmë drejt një sistemi ku heshtja nuk është më rruga më e lehtë”, nënvizoi Sala.

Gjithashtu, ministrja bëri thirrje për bashkëpunim të thelluar rajonal, duke theksuar se “femicidi nuk njeh kufij” dhe se gratë e trafikuara dhe ato nga grupet vulnerabël mbeten më të rrezikuarat.

“Çdo sinjal rreziku do të trajtohet me urgjencë. Çdo zë gruaje do të dëgjohet dhe mbrohet. Çdo fëmijë i prekur nga dhuna do të marrë mbështetje të plotë. Të gjitha institucionet rajonale do të veprojnë së bashku me seriozitetin që kërkon kjo krizë e për të ndërtuar një sistem, ku “mbrojtja nuk mbetet premtim, por bëhet siguri”, theksoi Sala.

Ministrja Sala përgëzoi Italinë për nismën e saj për të propozuar femicidin si vepër të posaçme penale, si dhe OSBE-në për punën e saj në  standardizimin e të dhënave, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe koordinimin institucional.

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka punuar intensivisht për të harmonizuar kornizat e saj ligjore dhe politike me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Stambollit, rekomandimet GREVIO, CEDAW dhe acquis të BE-së.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›