E Diel, 1 Nëntor 2026

Sala: Shërbime sociale të reja në 12 bashki, përfitojnë 2 500 qytetarë në nevojë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në bashkëbisedimin me gazetarët u ndal edhe tek mirëqenia sociale duke theksuar se po kalohet nga programet e asistencës sociale pasive te fuqizimi ekonomik i grupeve vulnerabël.

“Qëllimi ynë është i qartë për integrimin e përfituesve të mbrojtjes sociale në ekonomi përmes shërbimeve të kujdesit. Në këtë program të ri do të përfshijmë të gjitha aktivitetet që lidhen me kujdesin për njerëzit – si fëmijët në risk, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe kryesisht gratë në nevojë”, tha Sala.

Kjo, vijoi Sala, do të ndikojë, duke krijuar përmirësim të cilësisë së jetës, punësim, pavarësi ekonomike, dinjitet social dhe mirëqenie sociale.

Sala u ndal edhe tek zgjerimi i Shërbimeve Sociale si një investim në njerëz.

“Në vitin 2026, përmes Fondit Social do të ngrihen 14 shërbime të reja sociale, me rreth 2,500 përfitues, të moshuar të braktisur, fëmijë në nevojë, persona me aftësi të kufizuara, gra e vajza viktima të dhunës e trafikimit. Shërbimet do të shtrihen në 12 bashki të vendit, si dhe dy shërbime të specializuara të munguara në Tiranë. Njëra do të jetë një Qendër Rajonale për të rinjtë me spektër të autizmit dhe Qendra tjetër do të mundësojë përgjigjen për çdo situatë emergjente për fëmijët e rikthyer, apo fëmijët në situatë rruge”, nënvizoi ministrja.

Sipas saj, ky është një model partneriteti me pushtetin vendor, pasi qëndrueshmëria dhe vijueshmëria e këtyre shërbimeve është thelbësore.

Ministrja Sala foli edhe për ligjin për Barazinë Gjinore, i cili sipas saj zgjeron detyrimet për institucionet publike dhe sektorin privat, e bën integrimin gjinor detyrim në hartimin e çdo politike publike, njeh për herë të parë punën e papaguar dhe ekonominë e përkujdesit si pjesë reale të kontributit ekonomik, si dhe parashikon kalimin gradual drejt përfaqësimit 50% për secilën gjini në vendimmarrje.

Teksa u ndal edhe tek ligji për “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”,  Sala tha se “Ky ligj  parashikon mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës dhe përfaqëson një angazhim të qartë për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe sigurisë së grave, vajzave, fëmijëve, moshës së tretë dhe personave me aftësi të kufizuara”.

Ndërsa Ligji për Kujdesin Alternativ, vijoi Sala, dikton transformimin e institucioneve rezidenciale, mundëson krijimin dhe mbështetjen financiarisht të familjeve kujdestare të cilat do të trajtojnë në mjedis familjar çdo fëmijë në nevojë apo me paaftësi të cilët ndodhen jashtë kujdesit prindëror”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›