E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Eksportet e fruta-perimeve arritën mbi 330 mijë tonë, shtatë laboratorë për sigurinë ushqimore

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se Shqipëria ka eksportuar vitin e kaluar mbi 330 mijë tonë perime dhe fruta drejt vendeve të Europës dhe më gjerë.

Ministri Salla bëri të ditur se qeveria do të vendosë një paketë mbështetjeje prej 70% për serrat që përdorin metoda të mbrojtjes biologjike, një mënyrë e rëndësishme për të garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.

Salla theksoi se mbrojtja biologjike është një nga metodat më të mira për të orientuar fermerët dhe për t’i bërë ata pjesë të paketës kombëtare për sigurinë ushqimore.

Ai shtoi se, për të lehtësuar tregun dhe për të shmangur përdorimin e pesticideve, do të zbatohet Urdhri i ri i Agronomit, i cili do të mbulojë të gjithë sektorin e bujqësisë.

Ky urdhër, sipas tij, do të kërkojë që çdo fermer apo biznes bujqësor të lidhet me një agronom për të garantuar gjurmueshmëri dhe cilësi të prodhimeve “nga bima deri në tavolinë”.

Përveç kësaj, ministri bëri të ditur se do të ndërtohen shtatë laboratorë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të monitoruar sektorin e sigurisë ushqimore. Po ashtu do të ndërtohen edhe pesë laboratorë në pikat kufitare për të garantuar kontroll më të madh mbi eksportet dhe importet.

Laboratorët do të mbulojnë zonat kryesore bujqësore, duke përfshirë qarqet Fier, Korçë, Vlorë dhe Kukës.

Ministri Salla gjithashtu foli për rëndësinë e reformimit të stafit të institucioneve si AKU, për të përmirësuar monitorimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore.

Një tjetër sektor që do të marrë mbështetje të veçantë, sipas tij, është bletaria.

Ministri informoi se qeveria synon të dyfishojë mbështetjen për bletët, duke synuar rritjen e numrit të kolonive (koshere) nga mbi 600 mijë aktualisht në 1 milion, si dhe duke mbështetur çdo kilogram mjaltë me 10% të vlerës së tij në kuadër të paketës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›