E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salla: Nisma të reja për modernizimin e sektorit bujqësor me partnerët gjermanë

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, priti në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, Dr. Iven Schad nga Sektori i Bashkëpunimit Ekonomik, si dhe përfaqësuesin e GIZ për programin e zhvillimit të qëndrueshëm rural (SRD), Mattia Wegmann.

Salla u shpreh se Gjermania është një partner i qëndrueshëm për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, ndërsa gjatë takimit u riafirmua angazhimi për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Diskutuam për rezultatet konkrete të arritura përmes projekteve të përbashkëta në terren, si dhe për nisma të reja që synojnë modernizimin e sektorit bujqësor, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”, tha ministri.

Salla vlerësoi mbështetjen afatgjatë të qeverisë gjermane, veçanërisht përmes GIZ-it, në fusha të rëndësishme si siguria ushqimore, inovacioni bujqësor dhe forcimi i institucioneve.

Ai theksoi se ky partneritet mbetet thelbësor për realizimin e objektivave të Shqipërisë në kuadër të agjendës “Shqipëria 2030”.

Bujqësia është një sektor kyç për ekonominë shqiptare, jo vetëm për punësimin dhe prodhimin vendas, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Në bashkëpunim me institucionet e linjës mbështetja e vazhdueshme e qeverisë gjermane, përmes projekteve të zbatuara nga GIZ, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore, rritjen e kapaciteteve të fermerëve, sigurimin e cilësisë ushqimore dhe nxitjen e inovacionit në këtë fushë.

Sot ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të prekshme në terren, duke forcuar institucionet shqiptare dhe përgatitur sektorin për sfidat e integrimit evropian.e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›