E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Përforcim i sistemit të kontrollit sipas standardeve të BE

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi në Vlorë, një takim intensiv pune me përfaqësues të projetit të Bankës Botërore dhe strukturat e ministrisë, në kuadër të projektit “Rritja e Qëndrueshmërisë Klimatike dhe Zhvillimi i Bujqësisë – CRAD”.

Gjatë takimit u diskutua ecuria e projektit dhe hapat konkretë përpara, me fokus të veçantë tek Komponenti 2, që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, forcimin e Pikave të Inspektimit Kufitar, modernizimin e laboratorëve dhe rritjen e kapaciteteve të magazinimit.

Ministri Salla vuri në dukje se gjatë vitit 2025 janë hedhur bazat e zbatimit të projektit dhe se ky takim shërben për vendosjen e afateve të qarta dhe përgjegjësive konkrete për të përshpejtuar investimet.

Ai theksoi rëndësinë e përforcimit të sistemit të kontrollit sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke garantuar siguri më të madhe ushqimore dhe efikasitet në menaxhimin e zinxhirit të produkteve bujqësore.

Takimi gjithashtu shërbeu si platformë për koordinim ndërinstitucional dhe shkëmbim eksperiencash midis Bankës Botërore dhe institucioneve shqiptare, me qëllim avancimin e qëndrueshmërisë klimatike dhe zhvillimin e sektorit bujqësor në të gjithë vendin.

Projekti CRAD synon të përmirësojë kapacitetet infrastrukturore dhe teknologjike të sektorit, të mbështesë fermerët në adoptimin e praktikave të qëndrueshme dhe të sigurojë përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e produktivitetit, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit të qëndrueshëm rural në Shqipëri.

1 nga 5

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›