Salla: Skema e mbështetjes nxit angazhimin e të rinjve në sektorin rural

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Interesi i të rinjve për t’u angazhuar në bujqësi dhe blegtori po vjen në rritje, falë skemave të financimit dhe mbështetjes që po ofron qeveria përmes politikave të reja zhvillimore në zonat rurale.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ka ndarë sot në rrjetet sociale një histori frymëzuese që tregon se bujqësia po kthehet në një mundësi reale punësimi dhe zhvillimi për të rinjtë shqiptarë.
Në Ditën Kombëtare të Rinisë, Salla solli në vëmendje rastin e Emiliano Qerajt, 26-vjeçar nga Baldushku, i cili ka përfituar nga skema e mbështetjes direkte për tufën bazë të matrikulluar.
Ndërsa gjithnjë e më shumë të rinj si Emiliano, po e shohin bujqësinë jo vetëm si traditë familjare, por si një mundësi profesionale fitimprurëse dhe afatgjatë.
“I angazhuar me pasion dhe punë të përditshme në blegtori, Emiliano ka arritur të ndërtojë një fermë funksionale dhe të qëndrueshme, duke treguar se bujqësia mbetet një sektor me potencial të madh për rininë”, u shpreh Salla.
Sipas ministrit, historia e tij është shembull i qartë i asaj se si energjia dhe këmbëngulja e të rinjve, e kombinuar me mbështetjen financiare të shtetit, mund të sjellë rezultate konkrete dhe të inkurajojë të tjerë të ndjekin të njëjtën rrugë.
“Energjia e rinisë është forca që e çon vendin përpara. Emiliano, përmes pasionit dhe punës së tij këmbëngulëse në blegtori, na kujton se ky sektor ofron mundësi të mëdha për të ardhmen. Ftoj çdo të ri të bëhet pjesë e bujqësisë dhe ta shohë atë si një investim të sigurt dhe të qëndrueshëm. Gëzuar Ditën Kombëtare të Rinisë!”, thekson ministri.
Emiliano tregon se ka mbi 15 vite që merret me mbarështimin e lopëve. Në fermën e familjes së tij ka 14 krerë lopë dhe 15 viça dhe merr 200 litra qumësht në ditë, që i tregton në pikën e grumbullimit.
Ky ritëm pune dhe përkushtim e ka bërë Emiliano Qerajn një shembull i qartë se si pasioni dhe mbështetja e duhur mund të kthejnë blegtorinë në një mundësi të qëndrueshme për të rinjtë në zonat rurale.
Bujqësia, është një sektor me potencial të madh për të rinjtë dhe Qeveria ka zgjeruar skemat kombëtare të mbështetjes që synojnë: rritjen e numrit të fermerëve të rinj,
modernizimin e fermave ekzistuese, nxitjen e investimeve në blegtori, bujqësi dhe prodhimtari, zhvillimin ekonomik të zonave rurale.
/e.xh/r.e/ /a.g/