E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet pritet të miratohet këtë muaj

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj ka deklaruar se brenda këtij muaji pritet të miratohet në qeveri projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.

Malaj tha gjatë një interviste për ‘Vizon Plus’ se projektligji është hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ai shtoi se për këtë nismë ligjore, tashmë janë ezauruar edhe konsultimet publike me grupet e interesit.

“Është një projektligj shumë i mirë i cili siguron të gjitha banesat e qytetarëve ndaj tërmeteve. Fondi i sigurimit nga tërmeti do të menaxhohet nga shteti. Do të jetë një kompani shtetërore që do të menaxhojë këtë fond dhe do të garantojë edhe pagesën e primeve në rast të fatkeqësive natyrore”, deklaroi ministri.

I pyetur nëse do ketë tarifë të unifikuar si për atë që ka apo nuk ka rrezik nga tërmeti, kreu i Financave bëri me dije se akoma nuk është përcaktuar një çmim, por që do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga familjet shqiptare.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›