Rishikimi vjetor i bashkëpunimit me OKB, Ibrahimaj: Progres në ekonomi dhe digjitalizim

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Qeveria shqiptare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara zhvilluan sot mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Përbashkët, ku u rishikua performanca vjetore e Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm për periudhën 2022-2026.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj vlerësoi progresin e arritur gjatë vitit të fundit në zbatimin e kësaj kornize, duke theksuar se bashkëpunimi me OKB-në ka kontribuar ndjeshëm në avancimin e reformave strukturore dhe në mbështetjen e prioriteteve kombëtare të zhvillimit.
Gjatë takimit u evidentuan rezultate pozitive në fusha kyçe si, zhvillimi i kapitalit njerëzor, rritja ekonomike e qëndrueshme, nxitja e inovacionit, punësimi, digjitalizimi i shërbimeve dhe tranzicioni i gjelbër.
Po ashtu, pjesëmarrësit diskutuan sfidat e mbetura dhe përcaktuan prioritetet për vitin përmbyllës të zbatimit të Kornizës 2022-2026.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe nisja e përgatitjeve për Kornizën e re të Bashkëpunimit 2027-2031, e cila synon të forcojë më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe OKB-së.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo kornizë e re do të mbështesë reformat ekonomike, do të përshpejtojë arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe do të kontribuojë në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe partnerëve të OKB-së pritet të vijojë me fokus në zhvillimin gjithëpërfshirës, forcimin e institucioneve dhe ndërtimin e një ekonomie moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese, në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
1 nga 10/r.e/a.f/