E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salla në Komitetin e Monitorimit të IPARD III: Instrument i modernizimit të bujqësisë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla kryesoi sot takimin e tretë të Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III, i zhvilluar në një moment të rëndësishëm për vendin, pas hapjes së grup-kapitullit të fundit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga ministritë e linjës, strukturat zbatuese të IPARD-it, Komisioni Evropian, Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët diskutuan progresin e programit dhe përgatitjet për masat e reja që pritet të zbatohen.

Salla nënvizoi rëndësinë e kësaj platforme monitorimi për analizimin e progresit dhe identifikimin e sfidave, si dhe për forcimin e mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit.

Ministri gjithashtu nënvizoi përgatitjen për masat e reja të mbështetjes që do të ofrohen në kuadër të Programit, duke vlerësuar mbështetjen e TAIEX, Delegacionit të BE-së dhe FAO-s, të cilët kanë kontribuar me ekspertizë dhe trajnime për rritjen e kapaciteteve të strukturave të IPARD, veçanërisht në lidhje me masën LEADER.

Ministri u ndal dhe te paketa kombëtare e mbështetjes për sektorin bujqësor, përfshirë Skemën Kombëtare të Investimeve, kreditë e buta me garanci sovrane dhe mekanizmin e ri fiskal të kompensimit të TVSH-së, të cilat synojnë rritjen e investimeve dhe përmirësimin e likuiditetit të fermerëve.

Duke folur për programin IPARD, Salla theksoi se ai mbetet një instrument i domosdoshëm për modernizimin e bujqësisë, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, përmirësimin e infrastrukturës rurale dhe forcimin e ekonomisë në zonat rurale elementë të rëndësishëm për përgatitjen e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Programi IPARD III synon zgjerimin e mbështetjes për fermerët dhe agropërpunuesit, duke krijuar kushte më të favorshme për investime të qëndrueshme dhe rritje ekonomike në sektorin rural”, tha ministri Salla.

/e.xh/j.p/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›