Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Rama pret presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në takim presidentin e Këshillit Europian Antonio Costa, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet nesër në Tiranë.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga pritja në Kryeministri e presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa.
Në fillim të takimit presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa e uroi kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Më herët gjatë ditës së sotme kryeministri Edi Rama priti në një takim dypalësh kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, e para vizitë zyrtare e një kryeministri britanik në Shqipëri.
Po ashtu, në kuadër të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, Rama priti kryeministrin e Armenisë Nikol Pashinyan.
Liderët e Këshillit Europian dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen sot në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që nesër do të zhvillojë punimet Komuniteti Politik Europian.
/m.m/r.e/