E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Starmer akuzon Putinin për zvarritje të bisedimeve të paqes pas mosparaqitjes në Turqi

LONDËR, 15 maj /ATSH-DPA/- Refuzimi i Vladimir Putinit për t’u takuar ballë për ballë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky – është një provë tjetër se presidenti rus po zvarrit bisedimet e paqes – për të vonuar armëpushimin, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Edi Rama, në Tiranë.

Vizita e Starmer i paraprin Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet nesër në Tiranë, më 16 maj.

Starmer akuzoi udhëheqësin e Moskës se “po pengon” armëpushimin pas mosparaqitjes së tij në Turqi – ku homologu i tij ukrainas njoftoi se ishte i përgatitur të zhvillonte diskutime të drejtpërdrejta rreth luftës.

Në vend të Putinit, Kremlini dërgoi ndihmësin e presidentit, Vladimir Medinsky dhe zëvendësministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm.

“Më lejoni ta pranoj këtë drejtpërdrejt, sepse ajo që ndodhi sot është një provë e mëtejshme se është Putini ai që po i vonon bisedimet e paqes”, tha Starmer gjatë vizitës së tij sot në Shqipëri – i pyetur se cili ishte mesazhi i tij për udhëheqësin rus.

“Është Putini ai që po shkakton vonesën në një armëpushim. Ukraina ka qenë e qartë prej kohësh, disa muaj më parë, se nevojitet një armëpushim 30-ditor pa kushte, dhe ne kemi thënë prej kohësh se është Putini ai që po pengon paqen”, tha kryeministri britanik.

Sekretari i Jashtëm David Lammy dhe homologët e tij të NATO-s, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, po marrin pjesë në një takim të veçantë në Turqi.

“Ne vijmë me një mesazh të vetëm – të qëndrojmë pranë Ukrainës dhe të sigurohemi për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Lammy.

Në takimin e NATO-s, Rubio tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump ishte i hapur për pothuajse, çdo mekanizëm që çonte drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Trump dëshiron t’i japë fund luftërave mes Rusisë dhe Ukrainës. Do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme, por ne duam të shohim progres”, tha Rubio. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›