Saranda, port kyç turistik me rritje të fortë të fluksit të udhëtarëve

Porti i Sarandës ka regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve, duke konfirmuar rolin e tij gjithnjë e më të rëndësishëm në lëvizjen turistike dhe ekonomike të jugut të vendit. Gjatë vitit 2024 u përpunuan 619,444 pasagjerë, ndërsa për vitin 2025 ky numër arriti në 754,686 pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 21.8%.
Krahasimi i të dhënave mes dy viteve tregon një zhvillim pozitiv dhe të qëndrueshëm të aktivitetit portual. Kjo rritje reflekton jo vetëm përmirësimin e treguesve kryesorë, por edhe një organizim më efikas të proceseve dhe shërbimeve në port.
Pesha kryesore e fluksit të pasagjerëve mbetet e përqendruar gjatë sezonit veror dhe festave të fundvitit, periudha që sjellin një rritje të ndjeshme të udhëtimeve turistike dhe atyre për arsye pune.
Porti i Sarandës ka si funksion kryesor operimin e linjave turistike me Korfuzin, të cilat vijojnë të jenë shtylla kryesore e qarkullimit të pasagjerëve, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e turizmit dhe lidhjeve ndërkufitare.
/rtsh.al./