Schieder: Institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder bëri thirrje sot që institucionet të mbështesin punën e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në një konferencë për shtyp, Schieder u pyet nga mediet mbi çështjen për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë drejtim, Schieder u shpreh se PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore.
“Ky është edhe një standard i mirë europian por institucionet duhet të kryejnë punën e tyre. Në këtë rast SPAK duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre dhe gjithçka që mendojnë se është e nevojshme në bazë të legjislacionit. Ne kemi thënë që të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Por PE nuk mund të ndërhyjë dhe të bëjë komente për ndonjë rast specifik”, tha ai.
Schieder shprehu bindjen se në Kuvend do të bëhen diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura në bazë të Kushtetutës ose të rregullores. /j.p/