E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Prioritet, ripërtëritja e PD-së

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD-së nënvizoi rëndësinë e ripërtëritjes së kësaj force politike.

Duke iu drejtuar mbështetësve të PD-së, Berisha u shpreh se kurrë nuk do merrte përsipër t’i drejtonte nëse nuk do të besonte tek fitorja.

“Besimi tek fitorja buronte nga guximi dhe vendosmëria juaj. Ndaj dhe për ta mbyllur këtë kapitull, unë dua të përulem me nderim para jush për veprën tuaj. Me nderimin më të thellë dhe të shpreh bindjen se këto që kaluam ne na kanë farkëtuar për një betejë të re të fuqishme ndaj qeverisë”, tha ai.

Berisha u shpreh se PD mblidhet në këtë Kuvend si forcë politike që përmbushi një nga premtimet dhe detyrimet më kryesore, mbrojtjen e votës.

“Sot nuk jemi më forca politike që lufton në mbrojtje. Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit që ecim drejt fitores. Në këtë kilometër të fundit të kësaj maratone, ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra dhe detyrime kapitale. Detyra jonë numër një që ua kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve është ripërtëritja”, tha Berisha.

Sipas tij, “ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë madhështore”.

“Duhet të jetë vepra jonë për të ripërtërirë nesër Shqipërinë. Duhet të jetë vepra jonë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë. Ripërtëritja e PD parakupton para së gjithash vizion.
Por ka program më madhështor se programi ynë? U garantoj se nuk ka program më madhështor. Por ky program bombardohet çdo minutë, çdo orë nga mediat e qeverisë, të cilat përsërisin në sintoni se PD nuk ka program”, tha Berisha.

/m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›