Seanca në Kushtetuese për Ballukun, Berisha: Institucionet, mur në mbrojtje të korrupsionit

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se të gjitha institucionet shtetërore u bënë dje “mur” për të mbrojtur korrupsionin gjatë seancës në Gjykatë Kushtetuese, ku u shqyrtua pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se dita e djeshme do të regjistrohet “si një nga ditët më të zeza të historisë së ligjit, Kushtetutës, drejtësisë në këtë vend”.
Berisha tha se institucioni i Kryeministrit, ai i Kuvendit dhe Presidenca u “paraqitën në pafytyrësi të plotë para prokurorëve që zbatonin ligjin në sallat e Gjykatës puçiste Kushtetuese. U paraqitën për të kompletuar grushtin e tyre të shtetit”.
“Kurrë në historinë e këtij vendi dhe në asnjë vendi tjetër, nuk ka ndodhur që tre drejtuesit më kryesorë të rendin në Gjykatë Kushtetuese kundër vendimit të një gjykate dhe një prokurori për pezullimin e zëvendëskryeministres të kapur në flagrancë me një seri aferash korruptive. Nuk ka ditë më të turpshme për atë gjykatë, për këto institucione turpi se dita e djeshme”, tha Berisha.
Sipas tij, institucionet u vunë në rresht që të mbrojnë vjedhjet.
“Gjykata, në një vendim të turpshëm, të paimagjinueshëm, merr menjëherë në kundërshtim me ligjin, pushtetin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë në shqyrtimin e masave të sigurisë, në një kohë kur Kushtetuta, ligji thotë se ajo këtë të drejtë e ushtron pas këtyre gjykatave”, tha Berisha.
Berisha shtoi se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese “janë të aftë të shkelin çdo kod, çdo nen të Kushtetutës, të shkruajnë Kushtetutën për urdhër politik”.
“Në të gjithë terminologjinë botërore të formave të shtetit, shtetit aktual të sotëm në Shqipëri i përshtatet më shumë se çdo gjë tjetër, shtet i kakistokracisë – nga greqishtja e lashtë, më i keqi. Ndaj, qytetarë, të bashkojmë forcat dhe t’u tregojmë vendin”, tha ai.
/m.q/a.f/r.e/