E Martë, 3 Nëntor 2026

Sejko – Kasnyik: Investimet hungareze kontribut në rritjen ekonomike të vendit

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në një takim në ambientet e Bankës së Shqipërisë, në Tiranë, ambasadoren e re të Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik.

Gjatë takimit, Sejko vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike midis dy vendeve, duke u ndalur gjithashtu në bashkëpunimet mjaft të frytshme dypalëshe.

Më tej, Guvernatori e njohu ambasadoren Kasnyik me zhvillimet ekonomike të vendit.

“Ekonomia shqiptare qëndron në një trend pozitiv zhvillimi dhe sipas parashikimeve do të vijojë të rritet me ritme solide. Fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar “, u shpreh Sejko, teksa theksoi se, sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar.

Sipas tij, sistemi bankar dhe investimet hungareze kanë kontribuuar në mbështetjen e  rritjes ekonomike të vendit, duke shërbyer njëkohësisht si një ”urë” për investimet dhe eksperiencat bashkëkohore evropiane.

Duke u ndalur tek procesi i anëtarësimit evropian të Shqipërisë, Sejko tha se, “mbështetja e një vendi anëtar në Bashkimin Evropian, si Hungaria, mbetet e një rëndësie të veçantë për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Ndërsa një tjetër zhvillim i rëndësishëm i Shqipërisë lidhet me anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA)”.

Ambasadorja Kasnyik vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përballimit me sukses të sfidave dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend. Gjithashtu, ajo u ndal në progresin që Shqipëria ka bërë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shprehu mbështetjen e plotë të Hungarisë në këtë proces.

Ambasadorja u shpreh se vazhdimi i reformave është një element mjaft i rëndësishëm, frytet e të cilave do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti edhe më atraktiv për investitorët e huaj. Ajo shtoi se investitorë hungarezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

1 nga 2

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›