Sekretet e ngushticës së Hormuzit/ Miliarda $ për sigurinë e anijeve! Kush humb nga lufta SHBA-Iran?

Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari, në një intervistë me gazetaren Fatime Baci në Fax News, ka theksuar rëndësinë jetike që ka Ngushtica e Hormuzit për ekonominë dhe tregtinë globale, duke e cilësuar atë si një nga pikat më strategjike të planetit.
Sipas tij, pjesa dërrmuese e tregtisë botërore, rreth 85%, realizohet përmes detit, me një vlerë që arrin në 35 trilionë dollarë dhe mbi 12.8 miliardë tonë mallra në qarkullim çdo vit.
Në këtë zinxhir, Mesdheu dhe Gjiri Persik përbëjnë qendrën kryesore të gravitetit të tregtisë globale.
Ngjeqari solli në vëmendje edhe ndikimin e bllokimeve në pika kyçe detare, duke përmendur rastin e Kanalit të Suezit në vitin 2021, ku një ditë ndërprerje shkaktoi humbje prej 9.6 miliardë dollarësh. Ndërsa për Ngushticën e Hormuzit, pasojat do të ishin edhe më të rënda, me rreth 11.53 miliardë dollarë humbje në ditë në rast bllokimi.
Ai nënvizoi se një e treta e gazit që konsumohet globalisht kalon përmes kësaj ngushtice, rreth 350 milionë tonë, ndërsa një pjesë e madhe e gazit të lëngshëm (LNG) destinohet për vendet aziatike si Kina, India, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Po ashtu, Ngjeqari theksoi intensitetin e lëvizjes së mallrave në Gjirin Persik, ku përpunohen rreth 1.6 miliardë tonë në vit, ndërsa çdo ditë kalojnë miliona tonë mallra përmes Hormuzit – sasi që, sipas tij, krahasohet me volumin vjetor të Portit të Durrësit.
Në aspektin gjeopolitik, ai vuri në dukje se për sigurimin e kësaj rruge jetike janë shpenzuar triliona dollarë për prezencë ushtarake ndër vite, ndërsa kontrolli i trafikut në ngushticë mbetet në duart e Iranit. Megjithatë, sipas tij, një bllokim i plotë nuk është i leverdishëm, pasi do të dëmtonte edhe vetë vendet e rajonit.
Në përfundim, Ngjeqari theksoi se, pavarësisht investimeve të mëdha, transporti detar mbetet i pazëvendësueshëm dhe Ngushtica e Hormuzit një hallkë kritike e ekonomisë globale.
Intervista e plotë