Sekuestrohen 120 komplete me çadra dhe shezlongë në plazhin e Shkëmbit të Kavajës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Durrësit njoftoi sot se kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
“Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, u hoqën dhe u sekuestruan në total 120 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 1 shtetase”, njoftoi Policia.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. Sh., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
/m.q//r.e//a.f/