Ndeshja me Serbinë, Silvinjo: E di rëndësinë, të fokusohemi te futbolli

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo u shpreh sot në konferencën për mediet përpara sfidës me Serbinë, se e di rëndësinë e kësaj ndeshjeje.
Ai gjithashtu komentoi zgjedhjet e bëra në listën e Kombëtares për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Letonisë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Tekniku kuqezi deklaroi se shumë lojtarë e kanë mbyllur tani sezonin dhe mund të jenë të lodhur, por shtoi se ka edhe nga ata që e kanë mbyllur më herët dhe kanë qenë me pushime gjatë kësaj kohe.
Silvinjo tha se ka 10 ditë kohë për të bërë një punë të mirë me lojtarët për ndeshjet e radhës.
“Është një moment specifik i sezonit. Shumë nga lojtarët e mbarojnë sezonin tani. Një pjesë e tyre mund të jenë lodhur shumë, disa kanë luajtur më shumë. Disa të tjerë mund të jenë me pushim, sepse e kanë mbyllur sezonin më herët. Ne kemi 10 ditë për të bërë një punë shumë të mirë. Është një moment specifik ky i këtij grumbullimi”, tha ai.
Silvinjo theksoi se e di historinë dhe u shpreh se ndeshja me Serbinë është më specifike, por shtoi se Shqipëria do të futet në fushë për të treguar një identitet në lojë.
“Janë dy ndeshje të vështirë, me skuadra shumë të mira fizikisht. Na duhet të punojmë mirë. Unë kam nevojë për të 27 lojtarët. Duhet të fokusohemi te puna. Ndeshja me Serbinë është me specifike, e di historinë. Në duhet të fokusohemi te futbolli që duam të bëjmë. Jemi një skuadër që luajmë me zemër dhe shpirt. Kemi një identitet tonin”, u shpreh Silvinjo.
Trajneri i Kombëtares theksoi se kërkon nga lojtarët që të japin zemrën dhe shpirtin në fushë, teksa sa i përket llogarive për kualifikimin në Botëror, ato do të bëhen në tetor ose nëntor.
“E theksoj dhe një herë që 27 lojtarët që kam janë shumë të rëndësishëm. Janë 7 ditë radhazi që duhet të përgatitemi. I njohim kundërshtarët. Edhe ata duhet të na kenë studiuar ne. Sigurisht që mund të ketë ndryshime. Janë dy ndeshje të forta, të vështira dhe fizike. I kemi parë ndeshjet që kanë luajtur. Kemi pasur një vit që luajmë me kundërshtarë të vështirë. Janë kundërshtarë të fortë. Kanë lojtarë të gjatë. Do të harxhojmë shumë energji duke luajtur me ta. Por ne kemi mundësitë tona. Ata (Serbia) janë kundërshtar i fortë, sepse e nisin lojën shumë mirë, por ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të mundohemi të marrim më të mirën”, tha ai.
“Jam i sigurt që do të duhet të punojmë dhe mbi këtë element, sepse thashë që është një ndeshje speciale. Kjo vlen për të dyja ndeshjet. Do të fokusohemi që ditën e parë në këtë element. Por për mua janë të rëndësishëm 27 lojtarët, që vijnë për të fituar. E di që në kartë luhet për vendin e dytë, por nuk ka kohë për të humbur. Fusha flet vetë. Kërkoj që lojtarët të japin zemrën dhe shpirtin në fushë për të marrë më të mirën”, theksoi Silvinjo.
“Në letër, Anglia është një ekip shumë i fortë. Ka trajner dhe lojtarë të nivelit të lartë. Ne duhet të fokusohemi te loja jonë. Duhet të marrim pikë nga kundërshtarët e radhës. Në tetor ose nëntor mund të kemi një ide se sa shanse mund të kemi”, tha Silvinho.
Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45.
Ndeshja ndaj Letonisë do të luhet më 10 qershor, në stadiumin “Skonto Stadions” në Riga, po në orën 20:45.
/r.e/