Selenica dhe Divjaka kundër ndryshimeve territoriale, këshillat bashkiakë kërkojnë ruajtjen e bashkive

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Këshilli Bashkiak i Selenicës ka dalë me një qëndrim të përbashkët kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës, ndërsa kundërshtimi ndaj ndryshimeve të mundshme në kuadër të Reformës Territoriale është artikuluar edhe nga drejtues vendorë të Bashkisë Divjakë.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Selenicës, këshilltarët e mazhorancës dhe opozitës u shprehën në bllok kundër projektit për bashkimin me Vlorën.
Këshilltarët argumentuan se Bashkia e Selenicës duhet të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë vendore dhe deklaruan se do ta kundërshtojnë deri në fund çdo nismë që synon shkrirjen e saj. Sipas tyre, një ndryshim i tillë do të cenonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.
Në mbështetje të këtij qëndrimi u shpreh edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili theksoi se institucioni vendor duhet të ruhet dhe se kundërshtimi do të vijojë të mbrohet përmes argumenteve institucionale.
Në mbledhje morën pjesë edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë. Ata u shprehën kundër bashkimit me Vlorën dhe deklaruan mbështetjen e tyre për çdo nismë që synon ruajtjen e Bashkisë së Selenicës si njësi më vete.
Ndërkohë, në Bashkinë Divjakë, kryebashkiaku Josif Gorrea ka dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak lidhur me qëndrimin e tij në takimin e zhvilluar në Kuç me kryeministrin Edi Rama, ku është diskutuar Reforma Territoriale.
Gorrea theksoi se qëndrimi i tij për ruajtjen e Bashkisë Divjakë nuk ka ndryshuar.
“Ishte një takim i mbyllur. U diskutua gjatë e gjerë si grupim politik. Shprehëm secili mendimin e tij. Kryeministri i vendit e la të hapur bisedën. Secili të shprehë mendimin e tij të pastër”, deklaroi Gorrea.
Ai tha se edhe gjatë atij takimi kishte mbrojtur qëndrimin për vijimin e funksionimit të Bashkisë Divjakë, duke theksuar se nuk kishte ndryshuar në asnjë moment nga qëndrimi i shprehur më herët.
Gorrea ngriti gjithashtu pretendime për mospërputhje në disa prej argumenteve të Komisionit të Reformës Territoriale dhe tha se kishte bërë një krahasim mes Lushnjës dhe Divjakës.
/gj.m/j.p/