Senja: Lajmet e magjive më të klikuarat! Curri: Njerëzit i japin më shumë rëndësi se çduhet

Drejtori i Web-it të Vizion Plus, Emirjon Senja ishte i ftuar në studion e “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj ku u diskutua për ritet okulte dhe magjitë. Nisur nga statistikat, Senja tha se lajmet që kanë të bëjnë me magjitë janë ndër më të lexuarat, për shkak se audience është kurioze.
Emirjon Senja: Audienca ndaj lajmeve të tilla, historive që kanë të bëjnë më magji ose besëtytni…ka dy lloj kuriozitetesh. Kurioziteti i parë është ai normal që ka secili prej nesh për histori që na rrethojnë. Janë lajmet më të klikuara. Kurioziteti i dytë është ai kuriozitet që ka të bëjë drejtpërdrejt me personin. Persona që besojnë se janë të prekur nga magjia apo kanë siklete të ndryshme, ndërveprojnë me lajmin. Kur ne ndërveprojmë më shumë me përmbajtje të tilla, vetë algoritmi na shfaq më shumë përmbajtje të tilla. Kemi filluar të rrisim rrjetin e personave që ndikojmë. Pastaj fillojmë dhe mendojmë se bota kjo është, se ka vetëm lajme të tilla dhe futemi në një kurth të madh.
Nga ana tjetër, Imami Ilir Curri, i pranishëm në studio tha se njerëzit shpesh i japin më shumë rëndësi se çduhet magjisë. Sipas tij, magjia është një sprovë që vepron vetëm me lejen e Zotit.
Ilir Curri: Njerëzit i japin shumë më shumë rëndësi magjisë se sa ka në vetvete. Ajo vepron vetëm me lejen e Zotit për të sprovuar dikë dhe njerëzit duhet t’i largohen magjisë dhe kuriozitetit për të. Njerëzit duhet t’i kthehen Zotit. Njerëzit në rrjete sociale janë të interesuar për gjëra që ndikojnë te shpirti i tyre. Njeriu duhet të jetë i balancuar dhe një njeri i balancuar është i përgatitur për t’i bërë ballë çdo lloj energjie negative. Ne rrethohemi nga një botë metafizike. Rreth nesh ka një botë të tërë e cila ka të bëjë me engjëjt që veprojnë me lejën e Zotit, por gjithashtu kemi edhe djallin, shejtanin e mallkuar i cili është krijuar nga flakët e zjarrit. Nga flakët e zjarrit janë krijuar edhe xhindet./vizionplus.tv