“Serbia po fsheh krimet e luftës në Kosovë dhe Srebrenicë”- Natasha Kandiç: BE duhet të reagojë, po shtrembërohen fa

Serbia po shtrembëron faktet gjyqësore mbi krimet e luftës në Kosovë dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Natasha Kandiç, themeluesja e Fondit për të Drejtat Humanitare, me seli në Beograd, në një reagim në X ka kritikuar mënyrën se si institucionet dhe shoqëria serbe trajtojnë të kaluarën.
Ajo iu referua deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, i cili kishte paralajmëruar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte bie ndesh me vlerat evropiane.
Sipas Kandiçit, përfaqësuesi i BE-së duhej të ngrinte shqetësimin edhe për praktikën e heshtjes ndaj aktgjykimeve dhe fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare.
Ajo ka vlerësuar se shtrembërimi i së kaluarës është veçanërisht i theksuar në rastin e gjenocidit në Srebrenicë dhe të viktimave të luftës në Kosovë.
Reagimi i saj vjen në datën që shënoi edhe 6 vite nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare ka rikujtuar se kjo organizatë posedon një bazë të gjerë të dhënash për viktimat e luftës në Kosovë, ku dokumentohet fati individual i tyre, pavarësisht përkatësisë etnike.
Ajo ka vlerësuar se ky dokumentacion mund t’i shërbejë Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi, nëse ajo do të ketë vullnetin për t’i zbardhur ato.