E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfida e akomodimit – Shtatori i vështirë për studentët, qiratë në Tiranë rriten ndjeshëm

Në prag të vitit të ri akademik, kur numri i studentëve që kanë zgjedhur Tiranën për të vijuar studimet është më i lartë, kjo rrit edhe kërkesën për akomodimin e tyre.

Një pjesë zgjedhin shtëpitë me qira, ndërsa për agjencitë imobiliare, fluksi i madh nuk lë shumë mundësi zgjedhje. Për Orlind Morinën, drejtuesin e një agjencie imobiliare, shtatori kulmon me një bum kërkesash.

“Të gjithë e duan në qendër ose pranë Fakultetit. Ka shumë kërkesa dhe nuk ka aq shumë apartamente të lira në Tiranë për të gjithë studentët. Ne i shërbejmë zonës së Freskut shumë dhe pjesës së Alliasit, që janë si periferi. Këto zgjidhen kur janë të detyruar. Çfarë zgjedhin vetë studentët është gjithmonë qendra, ku janë urbanët, dhe zona rreth Unazës. Më parë jepnim çdo muaj nga 30 kontrata qiraje. Muajt e fundit ka një kërkesë të lartë dhe po japim nga 60, 55, 57 kontrata çdo muaj”, u shpreh Morina.

Studentët negociojnë për zonat, kjo nisur edhe nga çmimet që ndryshojnë nga 350 në periferi e deri në 800 euro në qendër.

“Në qershor janë 350–400 euro [qiratë], pastaj fillon 450 për 1+1 deri në 800. Në zonën e Freskut tani jemi te 400 euro. Edhe në Allias jemi te 450. ‘5 Maji’ është 500–600 euro për 1+1. Zakonisht bëhen tre, katër, dy [veta]. Kontrata është 1-vjeçare. Ata e thyejnë pas 8–9 muajsh shkollë. E lënë pa pastruar. Harrojnë që do të kthehen vitin tjetër. Pronarët mërziten. Këto e dëmtojnë imazhin e studentëve në të ardhmen”, u shpreh Morina.

Megjithatë, agjencitë imobiliare thonë se buxhetet e kufizuara të studentëve nuk përputhen me çmimet e qirave, të cilat rezultojnë të jenë afro 20–30 % më të larta se një vit më parë.

Gazetare: Elda Lamja

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›