E Martë, 3 Nëntor 2026

Sfidat e sigurisë euroatlantike, në fokus të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, mori pjesë në punimet e Sesionit të Pranverës të Asamblesë, të cilat u zhvilluan në qytetin e Dejtonit (Dayton), SHBA, nga data 22 deri më 26 maj 2025.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga Mimi Kodheli, kryetare e Delegacionit dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe nga deputetët Bardhyl Kollçaku dhe Bujar Leskaj.

Këtë vit, Asambleja Parlamentare e NATO-s u zhvillua në një moment simbolik, pasi përkonte me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes të nënshkruar në Dejton, e cila i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Ky përvjetor i rëndësishëm i jep një dimension të veçantë diskutimeve mbi paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Një tjetër moment i rëndësishëm i Asamblesë ishte pjesëmarrja e krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët dhanë mesazhe të forta për angazhimin rajonal ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike, paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror.

Gjatë kësaj Asambleje, delegacioni shqiptar mori pjesë në sesione të nivelit të lartë, duke kontribuar në diskutimet mbi sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, bashkëpunimin ndërparlamentar, si dhe forcimin e rolit të NATO-s në promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si një forum i rëndësishëm për dialogun politik dhe parlamentar ndërmjet vendeve anëtare dhe luan një rol kyç në forcimin e transparencës demokratike dhe llogaridhënies në çështjet e sigurisë.

1 nga 2

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›